1:11 pm - Saturday April 21, 2018

Dita e Shen Valentinit, kur dashuria humbet kuptimin

[icon name=”icon-heart” size=”3x” color=”#E632CE” align=”left”]14 Shkurti – Shen Valentini[/icon]

14 Shkurti – Shen Valentini

Ndoshta po pyesni veten se përse nuk e publikova pikërisht me datën 14 Shkurt?

Sepse jam e sigurtë që do jeni tepër të zënë duke bërë blerjet e ‘Shënit’!

Po përse e quaj ‘Shën’?

Sepse nuk është aspak i tillë.

Shumë histori çka qarkullojnë mbi këtë festë, të cilën në të vërtetë askush nuk e shpjegon me fakte se çfarë domethënie ka. Ekzistojnë me qindra variante, secili asnjë i njëjtë me tjetrin. Një festë non sens, e cila i është shitur në shekuj njerëzimit, e që ka denigruar në një festë komerciale të rëndomtë. Po a nevojitet vërtetë një ditë e vetme në vit, ku çiftet t’i tregojnë dashurinë njëri tjetrit?! Dhe në ç’formë madje, në atë më të rëndomtën, më boshen, më të shëmtuarën që mund të ekzistojë, atë me anë të mashtrimit materialist. Një fetishizim i panevojshëm, një politikë e lavazh truri nga i cili përfiton vetëm biznesi në kuptimin e vërtetë të fjalës. Sarkastik është fakti që pikërisht kjo festë e cila pretendohet se është për të dashuruarit, bëhet shkak i grindjeve dhe shkatërrimit të lidhjeve sentimentale e më tutje! Një tablo për të qeshur e për të qarë. Ja si festojnë kategori të caktuara në vendin tonë modest dhe halleshumë:

Bëhuni gati për stresin tuaj të rradhës të dashur:

1- Meshkuj dhe Femra,

2- Bashkëshortë dhe Bashkëshorte,

3- Dashnorë dhe Dashnore,

4- Adoleshentë dhe Adoleshente,

5- Katundarë dhe Katundare,

6- Qytetarë dhe Qytetare….

Shën Valentini tashmë po troket!

Me nisjen e një viti plot dinamikë, stresi i rradhës i njerëzve dhe xhepave të tyre mban vulën e Shënit. Askush nuk i’a di domethënien, bile-bile as nuk i’a ndjen kujt për domethënien, por një gjë e kanë fare të qartë, dhurata duhet ta lërë pa frymë ‘atë’ bashkëvuajtësin e tyre! Le të analizojmë secilën kategori sipas veçorive përkatëse.

Të gjithë:

1- Meshkujt dhe femrat këtë periudhë nuk bëjnë tjetër, veçse flasin për Shënin, për dhurata dhe pushime. Për firmato, për Marka e gjithçka ka lidhje me festën! Një ekstazi e tipit ‘pandemi botërore’ i ka zënë të dy kategoritë, apo edhe tre kategoritë njerëzore, se këtu për pak harrova pa përmendur dhe komunitetin LGBT, sepse edhe ato festojnë si të gjithë. E të gjithë në grup, njësoj sikur të na komandojnë me satelit nga hapsira, na drejtojnë receptorët drejt festës dhe askesorëve të saj që duhet ta them, se kushtojnë sa frëngu pulën! E gjithë kjo gjendje krijon ankth, stres dhe natyrisht kaos hormonal kolektiv.

2- Bashkëshortë dhe bashkëshorte, të gjorët familjarë, po shtrydhin trurin se me çfarë t’a shokojnë njëri tjetrin të paktën një herë në vit. (Ndoshta edhe duke shpresuar në nën-koshiencë, që njëri t’i lërë shëndenë tjetrin nga goditja.) Sigurisht, ato as e kanë vënë re fare, për gjithë vitin personin me të cilin kanë ndarë shtratin, jetën dhe jo vetëm. Thjesht tani po kujtohen për ekzistencën e tyre dhe kështu u mbyllin gojën me një dhuratë. Në këtë formë lajnë gjynahet e gjithë vitit, momentet kur i kanë nxirë jetën tjetrit me ulërima, mallkime, me indiferencë, padashur të them dhe tradhëtira, apo për të larë të gjithë ato momente që i kanë fyer, (rrahur) dhunuar e përdhunuar apo që i kanë trajtuar si askushi. Ja kështu erdhi dhe Shëni dhe Katarsisi bashkë me të.

Rroftë Shëni Njerëz!

3- Dashnorë dhe dashnore, këtu ndaloj pakëz, mendoj që kjo kategori është ajo që e përjeton dhe feston më tepër, ‘molla e ndaluar’ shijon me shumë. Bravo, një super duartrokitje! Kjo kategori ka disa nënkategori, por për efekt kohe po i bie pak shkurt për të mos i rënë gjatë. Paradite pasi i kanë blerë dhuratën bashkeshortes/bashkëshortit, mbarojnë punë edhe me dhuratën për dashnoren/dashnorin dhe në mesditë takohen, dhe moment më breslënës nuk ka! Kjo festë është padyshim etydi i tyre i dashurisë, i tradhëtisë dhe i ndyrësisë. Sigurisht, do jeni shumë kurioz të dini ndryshimin midis dhuratës së gruas dhe asaj të dashnores ose e burrit dhe dashnorit?! Epo natyrisht, dhurata për dashnoren/dashnorin është mbretërore, në krahasim me atë modesten deri në sakrilegj për bashkëshorten/bashkëshortin.

Besoj po qeshni tani!

4- ‘Adoleshentët in love’, kjo është pjesa më qesharake e gjithë festës, por dhe më naivia sigurisht. Them naive, sepse harbimi hormonal i tyre është ku e ku më i pastër se intrigat dhe mashtrimet e kategorive të sipër përmendura, çmenduritë e tyre rinore infantile janë për të vënë kujën. Pa e ditur fare kuptimin e pakuptimtë të kësaj feste, rendin nëpër dalldisjet e tyre rinore dhe e shfrytëzojnë çdo detaj për të arritur qëllimet e tyre. Ndryshe do ta quaja ‘Hormon’s in love’!

5- Katundarët dhe katundaret, pikërisht kjo është kategoria që më pëlqen më shumë. Mënyra budallaqe e të festuarit të tyre më çmend, më krijon një ndjenjë euforie në shpirt. Për një vit rresht, mezi e pres Shënin vetëm për të ndjekur ato edicionet me ‘vox pop’ te Liqeni Artificial në Tiranën tonë të dashur.

Apo ato lulet artificiale që dhurojnë, apo ato drekat modeste nëpër restorante morri, apo daljet në treg për një dhuratë modeste, shëtitjet te liqeni, puthjet alla-porno që i japin në vende publike si në urbane, parqe, tregje etj.

O’ Zot, është kaq idilike!

6 – Qytetarë dhe qytetare, kategoria gjoja më normale e kësaj zallamahie, festë tipike moderne, e thjeshtë, fine me një dhuratë të mirëmenduar, ku të gjithë bëjnë gjoja sikur i’a dinë kuptimin kësaj dite, sikur e vlerësojnë, por brenda kësaj kategorie ka edhe nga ata që nuk e festojnë, se ka dhe katundaro-fobë që nuk festojnë sepse e quajnë festën e katundarëve, dhe meqe e mbajnë veten për qytetarë nuk e festojnë vetëm për këtë fakt, ndryshe do bënin mëkat. Patetike! Pa dashur të merret si një traktat moralist, ajo çka në të vërtetë dua të përciell si mesazh është, përse e festojmë këtë festë kur nuk sjell asnjë dobi, përkundrazi! Dashuroni çdo ditë, rrespektoni çdo ditë dhe do harxhoni më pak, por do keni fituar një përjetësi.

MSc. Nidela Hoxha Zenuni

/Peqini.Com/

Filed in: Magazine, Opinion

No comments yet.

Leave a Reply