6:50 pm - Thursday February 22, 2018

Minatori i përndjekur: Komunizmi më përndoqi, demokracia më zhgënjeu

Bardhyl Murrja ka punuar 12 vjet në minierë, por pensioni për punën e rëndë të bërë në vite është qesharak, vetëm 146 mijë lekë të vjetra në muaj, me të cilin mban gruan dhe vajzën e papunë.

Dikur, në diktaturë, fëmijëve të familjeve të deklasuara u ofronin punët më të rënda dhe miniera ishte vendi ku punësoheshin më së shumti. Të njëjtin fat pati dhe Bardhyl Murrja nga Peshkopia, i cili në moshën 17 vjeçare nisi punën si minator në minierën e Bulqizës.

54 vjeçari nuk harron asnjë detaj të punës së atyre viteve, megjithë vështirësitë e saj, që nga gota e qumështit që merrnin në mëngjes para se të nisnin punën dhe deri tek përkushtimi i mjekëve ndaj minatorëve, kontrollet periodike gjatë vitit apo plotësimi i nevojave me veshje, kostumet dhe cizmet, aq të nevojshme për ta.

Po sot?

“Më vjen keq për veten dhe shokët e mi, sepse shpresuam shumë që me vendosjen e pluralizmit në Shqipëri gjërat do të përmirësoheshin edhe më shumë.

Por përveç faktit se minatorët dolën në rrugë të papunë nga mbyllja e minierave, dhe ato pak galeri që kanë mbetur janë në gjendje shumë herë më të keqe se para viteve ’90.

Sot minatorët punojnë duke rrezikuar jetën dhe askush s’mban përgjegjësi për ta”, thotë Bardhyli.

54 vjeçari i ka kushtuar minierës 12 vitet e jetës së tij, në 1977 e nisi në Bulqizë  për ta mbyllur ciklin në minierën e Valiasit ku dhe doli në pension të parakohsshëm.

Edhe në dy vitet e ushtrisë, Bardhyli ka punuar në punë të rënda, duke hapur tunele, në ballë të plotë, fronti më i rëndë për të deklasuarit, siç quheshin familjet me biografi të keqe.

Bardhyli e quan veten me fat që në vitin 1996, falë një reforme të atij viti, ai doli në pension të parakohshëm pasi plotësonte vitet e punës aq sa kërkohej, 12 vite pune në minierë dhe 23 vite të përgjithshme nga ku përfitoi një pension prej 145 mijë lekë të vjetra në muaj.

“Jam me fat, sepse po të mos kisha dalë në atë kohë, sot do të isha i papunë si shokët e mi që presin të mbushin moshën 65 vjeç.

Është turp të lësh një minator të presë pensionin kur dihet sa e vështirë është puna nën tokë”, thotë Bardhyli.

Në 2011, Bardhyl Murrja iu bashkua grevës së urisë së minatorëve për realizimin e tri pikave të kërkesave të kësaj kategorie, mes të cilave statusi i minatorit ku pensioni për kategoritë e vështira të rritej minimumi deri në 250 mijë lekë të vjetra.

Minatorët provuan për shumë ditë t’i rezistonin urisë deri në arritjen e një kompromisi me qeverinë, por qeveria nuk bëri asnjë hap për këtë.

Sot, numri i minatorëve që punojnë në minierë është i pakët, pjesa më e madhe punon në Bulqizë dhe disa prej tyre janë mbi 55 vjeç.

Kjo kategori është e detyruar të punojë për shkak të gjendjes së keqe ekonomike, megjithëse sipas ligjit për pensionet e kategorive të vështira të kohës së regjimit komunist, ata duhet të dilnin në pension me 10 vite pune.

Është e çuditshme se si një i përndjekur vlerëson regjimin që përndoqi atë dhe familjen e tij, por Bardhyl Murrja thotë se minatori i atyre viteve vlerësohej 100fish më shumë sa sot.

“Vetëm dieta e ushqimit që përfitonim në atë kohë s’ka të krahasuar.

Sot minatorët e Bulqizës marrin 7 mijë lekë të vjetra në ditë dhe këtë shumë nuk e përfitojnë gjatë gjithë kohës, vetëm kur firmat dëshirojnë tua japin.

Për të mos folur për kushtet e punës, minierat sot janë pa investim, pa kushte të sigurisë teknike dhe këtë e tregojnë aksidentet me pasojë vdekjen që vazhdon të prodhojnë minierat.

Minatorët s’mbahet mend kur janë furnizuar me çizmet dhe kostumet e punës”, thotë Bardhyli.

Për të gjitha këto, sindikata e minatorëve ku bën pjesë dhe 54 vjeçari ka zhvilluar shumë protesta, vetë Bardhyli thotë se ka dërguar jo pak, por 59 kërkesa për takim me kryeministrin, asnjë prej tyre nuk është marrë parasysh.

“Unë jam pjesëmarrës i grevës së 1991, të minatorëve të Valiasit dhe kam marrë certifikatë mirënjohje si pishtar i demokracisë.

Thirrjet tona “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa” sot më ngjajnë se kanë rënë në vesh të shurdhër, na ka humbur besimi tek kjo demokraci, tek kjo politikë. Më vjen keq për shokët që kam humbur në minierë, për ata që kanë mbetur të papunë dhe pa pension, për veten që detyrohem të mbaj frymën me 145 mijë lekë në muaj, për injorimin që i është bërë profesionit tonë, për të gjitha premtimet e pambajtura ndër vite, sa më vjen turp ta them por me shpirt kam falur sistemin që më përndoqi sepse demokracia të cilën e kisha ëndërruar më la  fukara mua dhe gjithë minatorëve në mbarë vendin”, e mbyll bisedën, ish i përndjekuri dhe minatori i vjetër.

Nga Blerina Moka

Filed in: Aktualitet, Bulqiza, Opinion

No comments yet.

Leave a Reply