Qyteti Jone

Qyteti i Bulqizës

Rrethi i Bulqizës shtrihet në pjesën lindore të Republikës së Shqipërisë dhe kufizohet, në lindje me Dibrën e Madhe (në Maqedoni ), në veri me Rrethin e Dibrës, në perëndim me Rrethin e Matit dhe Rrethin e Tiranës dhe në jug me Rrethin eLibrazhdit. Rrethi i Bulqizës shtrihet në një sipërfaqe 469 km² dhe ka një popullsi prej 52140 banorë. Qendër administrative e rrethit është qyteti i Bulqizës me rreth 16768 banorë. Rrethi ka 8 njësi administrative lokale, Bashkia Bulqizë; Komuna Fushë-Bulqizë; Komuna Zerqan; Komuna Shupenzë; Komuna Gjoricë; Komuna Ostren; Komuna Trebisht; dhe Komuna Martanesh. Në këtë rreth gjëndet edhe qyteti i Krastës me 5969 banorë.

Përgjithësisht relievi është me terren të thyer malor me lartësi që shkojnë nga 420 m deri 2101 m. Në këtë territor shtrihen Lugina e Bulqizës me shtrirje nga perëndimi në lindje me gjatësi 25 km e gjërësi deri 1 km, që fillon në perëndim me Qafën e Buallit në lartësinë 842 m, ku kalon rruga automobilistike që lidh Burrelin me Bulqizën, Peshkopinë e Dibrën e Madhe. Kjo luginë përshkohet nga Zalli i Bulqizës që derdhet në Drinin e Zi. Në këtë rreth gjënden edhe Lugina e Okshtunit që përshkohet nga Zalli i Okshtunit deri sa bashkohet me Zallin e Bulqizës në Çerenec; Lugina e Zogjes; Lugina e Martaneshit; Rrafshnalta e Gollobordës; Fusha e Gjoricës; Fusha e Homeshit; Fusha e Vajkalit; Fusha e Klenjës dhe Fusha e Ballenjës. Toka bujqësore më pjellore njihen Fusha e Gjoricës dhe Fusha e Homeshit. Bujqësia është mjaft e prapambetur për shkak të mungesës së mekanizimit të punimeve dhe të formave të përparuara të shfrytëzimit të tokës edhe në terrenin e thyer ku gjëndet pjesa më e madhe e tokës së punueshme.

`Në territorin e rrethit të Bulqizës janë edhe malësia e Martaneshit dhe e Gollobordës që kanë pamjen e një pllaje të valëzuar që rrethohen nga male të lartë. Lartësia më e madhe është në jug të maleve të Allamanit Maja e Kreshtës (2101m) dhe në malet e Lopës, Maja e Dhokzit (2020m ) dhe maja e Kaptinës (1873m).

Në Bulqizë dhe në Krastë gjënden venburimet më të mëdha në Shqipëri të mineralit të kromit, që bashkë me 36 mijë ha me pyje të pishës e të ahut, që përbëjnë bazën kryesore të zhvillimit ekonomik të rrethit.

Klima në gjithë rrethin e Bulqizës është kontinentale e ftohtë në dimër dhe e thatë në verë. Lugina e Bulqizës duke qenë e hapur nga lindja, përshkohet shumë nga erërat. Temperatura mesatare vjetore arrin vlerën 10°C dhe temperatura maksimale është regjistruar deri 35°C në verë e ajo minimale –18°C në dimër.

Sasia mesatare e reshjeve të një viti arrin në 980 mm.

Historikisht rrethi i Bulqizës përbëhet nga një popullsi autoktone e vendosur në gjashtë krahina: Bulqiza,Gryka e Madhe, Gryka e Vogël, Okshtuni, Martaneshi dhe Golloborda .

Populli i këtyre krahinave ka qenë gjithmonë një kështjellë e pamposhtur qëndrese ndaj pushtuesve osmanë sllavë e italianë sepse lugina e Bulqizës është një nga rrugët kryesore për ardhjen e pushtuesve lindorë e futjen e tyre në thellësi të Shqipërisë. Ky popull e ka patur në gjak ndjenjën e lirisë dhe të pavarësisë.Megjithë reprezaljet e panumërta të pushtuesve, populli i krahinave të këtij rrethi, nuk e pushoi kurrë luftën për mbrojtjen e trojeve të veta. Është e njohur qëndresa në betejat e Fushës Vajkalit (Prill 1465),e Gjoricës (1844),e Xixullës (1860), e Zallit të Mures (1921) etj.

Që në fillimet e rilindjes kombëtare populli i kësaj zone me vetëorganizim luftoi dhe fitoi mbi hordhitë e Hajredin Pashës e të ushtrive të tjera që vinin nga lindja dhe nxorri nga gjiri i tij patriotë e komandantë të shquar si Sheh Mustafa, Baba Fejzë Bulqiza, Sheh Sula, Sali Markja, Fasli Malja, Dalip Karai, etj. Burrat e shquar të kësaj treve si Sheh Sula kanë kontribuar fuqishëm për mbarëvajtjen e punëve të Lidhjes Shqipëtare të Prizrenit.patriotët e kësaj krahine kanë dhënë një kontribut të shquar për shpalljen e pavarësisë nëpërmjet pjesëmarrjes së tyre për ngritjen e flamurit në Vlorë me 28 Nëntor 1912, ashtu dhe në mbrojtjen e kufinjve lindorë nga pushtuesit. Periudha e turbullt në vitet 1912-1921 për këtë zonë qe nga më të vështirat. Tentativat serbe për pushtimin e kësaj krahine qenë të vazhdueshme dhe tepër barbare, vriteshin gra, fëmijë e pleq, digjeshin shtëpi e bereqet dhe popullit iu desh të luftojë njëkohësisht me ushtritë e krajlit dhe me zinë e bukës. Vetëm ndjenja liridashëse e bëri të fitojë mbi këto armiq të egër e mizor që përdorën genocid masiv duke zhdukur familje të tëra, si në Kullën e Shabës në Bulqizë, etj. Gjithë këto tallaze, populli i kësaj krahine në vitet 1913-1921, i përballoi me vendosmëri e guxim nën drejtimin e komandantëve popullorë, , trima e të mënçur si Sheh Hajredini , Mehmet Duriçi, etj.

Populli i rrethit të Bulqizës mori pjesë aktive në luftën kundër pushtuesve nazifashistë duke u inkuadruar në brigadën e 18 UNÇL dhe në brigada të tjera me mbi 1000 luftëtarë, ku dhanë jetën për liri 68 dëshmorë.

Çlirimi i vendit i gjeti këto krahina në një varfëri të plotë. Populli pas luftës bëri përpjekje të mundimëshme në frontet më të vështira të punës, si në minjera, gjeologji, shfrytëzim pyjesh, hidroçentrale, etj por përfitojë shumë më pak se vlera e vërtetë e punës së tij , nga qeverisja diktatoriale komuniste që e ushqente popullin vetëm me ideologji. Partia shtet shkeli lirinë e individit dhe vendosi diktaturën më të egër në gjithë Evropën Lindore, lufta e klasave shkatërroi njeriun, kolektivizimi masiv shkatërroi pronën dhe populli bulqizak mbeti larg aspiratave të tij për liri, demokraci e mirëqenie.

Gjëndja e rëndë që u krijua nga qeverisja dhe ekonomia e rrënuar bëri që ky popull të japë kontribut me vlerë në shëmbjen e diktaturës komuniste të partisë shtet, përqafoi lëvizjen politike për pluralizëm të Dhjetorit 1990, hap pas hapi përkrahu futjen e ekonomis së tregut dhe të formave demokratike të jetesës, duke shpresuar në rrugën e demokratizimit e zhvillimit të vendit tonë për t’u bashkuar me qytetërimin perëndimor europian ku dhe bëjmë pjesë historikisht.

Bulqizë, më 07.01.2003 Bashkim LAMI

Perdoruesit qe gjeten kete artikull kerkuan per:

  • Rrethi i Bulqizës
© 2010 Bulqiza Online · Subscribe:PostsComments · Powered by Klarko