6:54 pm - Thursday February 22, 2018

Shkolla e parë shqipe në Zerqan të Dibrës

shkolla e pare shqipe -2

Udhëheqësit e Rilindjes së ndritur kombëtare rrezore joshën disa ideatorë patriotë dibranë, midis tyre dhe Sulejman Shehun. Këta ideatorë ranë në union me mendimin se vetëdija kombëtare rritet me hapjen e shkollave shqipe për të dalë nga errësira mesjetare osmane dhe për të fituar pavarësinë e ëndërruar. As burrat e mençur nuk u bënë rilindës pa shkollë. As sheh Sula nuk bëhej “Sheh Sula”dhe nuk lindi i tillë pa shkollë, megjithëse vinte nga rrënja e Sheh Mustafës, që “shembi malet” e lëshoi në Dri. I veshur mistik-idealist, e priti Gryka e Madhe si idhull shpirtëror më 1870. Ai mblodhi në teqe djem e vajza për t’u mësuar shqip, me alfabet turk e arab. Një pjesë edhe nga zona i shkolloi në Stamboll si: Mustafa Isufin, Mehmet Shehun, Mulla Toskën, Mehmet Salën, Haxhi Kolën, Mulla Sheren, Haxhi Topin, Hafiz Iskurtin, Mulla Salën, Mulla Vorfin, Zenel Allushin. Këta u kthyen të ditshëm, me të tjera mendje.

Edhe pse në shkolla turke, fitonin një tjetër botë, me ëndrrat e ndryshimit të jetës. Kush e krijoi këtë botë tjetër tek ata, përveç shkollës? Sido shikonin pak dritë në errësirën e robërisë. Ka mbetur aksioma se një komb analfabet sundohet më lehtë e provokuar kjo me sundimin disa shekullorë të kombit tonë nga osmanët. Shoqëria “Drita” në gazetën “Bashkimi” propagandonte se gjuha shqipe do të sillte “dashuri, bashkim, vëllazërim”. Kjo ndezi prushin e Grykës Madhe për shkollë shqipe. “Sheh Sula u lidh veç udhëheqësve të Rilindjes me Ali Riza Pashën (Gurra), me kryemyftiun e Manastirit, Jusuf Karasanin, Mersin Demën, Dan Camin, baba Jashar Krenën, Jakup Camin, Dalip Karanë, Sulë Hupin 2). Njëherësh edhe Hoxhë Voka në “Djelmënia Dibrane” dha alarmin: “Armiqtë janë tue na hap varrin… Një rrugë na ka mbet: Me u zgjue kombi, me mësue gjuhën e tij e me i dalë zot vetes”.

shkolla e pare shqipe

Historiani Ali Vishka në kumtesën e tij shënon: “Në Dibër dhe rrethina më 1875 ka pasur 33 shkolla fillore islame…”, ku përmendet dhe J.G. Hahni, i cili “ka qenë në fshatin Grazhdan dhe Zerqan. Të Zerqanit e kishte hapur Sheh Mahmuti në sarajet e tij” 3). Ndërsa konsulli rus Vice deklaron më 1885: “Në Dibër e rrethina kishte shkolla turke me 250 nxënës. Një të tillë kishte dhe në Zerqan 4). Me lejimin e shkollave turke, osmanët mendonin asimilimin e gjuhës shqipe dhe turqizmin e shqiptarëve. Por “libra shqip dhe abetaret vinin nga kolonitë shqiptare të mërgimit nga Stambolli me qiraxhinj dhe shpërndaheshin në qytetin e Dibrës, Zerqan, Bulqizë, Homesh…” 5). Përpjekja vetëmohuese e rilindësve u konkretizua më 1887 me hapjen e shkollës së parë shqipe në atdheun tonë, në Korçë. Një vit më vonë, Seit Najdeni hapi shkollën e parë shqipe në qytetin e Dibrës së Madhe 6). Nuk qe rastësi ardhja e Abdyl Frashërit në Zerqan, më pas, e Hoxha Tahsinit. Rruga drejt lirisë po hapej. Në enciklopedinë e tij Sami Frashëri e quan eveniment të rëndësishëm kombëtar hapin patriotik, ku shënon: “Në kazanë e Dibrës kishte 11 shkolla laike” 7). Këtë të vërtetë nuk e kundërshtojnë për Dibrën e Madhe, Zerqanin, Bulqizën, Homeshin. Atë mot Ministria e Arsimit e Perandorisë Osmane publikoi: “Në lagjen Zerqan u pranua zyrtarisht nga shteti që në vitin 1892 të hapet shkollë sabiane (private) 8). Amerikani Viliams ka shkruar se Turqia lejoi hapjen e shkollave të huaja në Shqipëri dhe shumë pak në gjuhën shqipe duke mos e parë kurrë zgjimin e të riut shqiptar 7). Kjo situatë i hapi shtegun Hoxhë Vokës që në vitin 1893 shfrytëzoi rrethanat lehtësuese që u bëri Pallati Gjylhanesë fqinjëve, rihapi shkollën shqipe në Dibër të Madhe.

Në këtë vit historik më 14 mars 1893 u hap edhe shkolla e parë shqipe në Zerqan nga Sheh Sula dhe, po më 1893, u hap në Okshtun nga Hoxhë Moglica” 9). Ky ideolog mistik rrobën fetare e vuri në shërbim të kombit, hodhi i pari gurët e themelit të shkollës shqipe në një cep të Penestisë së ilirëve në Zerqan me leitmotivin “Atdheu është pjesë e besimit”. Sheh Sula, ai burrë i mençur, dijetar e guximtar, zgjodhi 14 marsin për simbol të ringjalljes së jetës, të gjelbërimit të natyrës për largimin e errësirës , hapjes së shkollës drejt pavarësisë. Slogani filozofik i tij përmendej odave me peshën e figurave të fjalës: “Drita e shkollës do të largojë dimnin e robnisë”. Edhe brezat e fisit kanë përcjellë gojë më gojë 14 marsin e vitit 189, të cilët 14 marsin e pagezuan : “Dita e asë!” 10). Nxënësit e parë të 1893 të shkollës shqipe kanë qenë: Osman Shehu, hajredin Shehu, Tush Shehu, Liman Rruka, Hamza Gurra, Xhafer Hanku, Imer Kola, Liman Disha, Isuf Sula, Shaban Allushi, Besim Kadiu, Selim Sinani, Ali Hanku, Bajazit Cesula, Nuri Novaku. Një dorëshkrim i filmuar i Hajredin Shehut, që ruhet në Arkivin e Shtetit, shkruhet: “Shkolla shqipe në Zerqan asht hap në vitin 1893” 11). Turqit nuk e duruan shkollën shqipe në Zerqan. Prandaj Gazeta “Drita” publikoi: “Ka hy dashuria e mëmëdheut bashkë me atë të gjuhës… Sot i madh e i vogël, i pasur e i varfër thërrasin me gjuhën shqipe: Me shkolla mirësohet kombi” 14). Prandaj zerqanasit e rihapën shkollën përsëri më 1894, 1900 dhe 1907. Për këtë Konsulli austriak në Manasdtir njofton: “U binda se hapja e atyre shkollave ishte krejt e sigurtë” 15). Me kërkesë të Baba Jeshar Krenës, “më 1895 Baba Meleq Shembërdheni abetaren e Naum Veqilharxhit e dërgoi në Martanesh, Zerqan….” 16).

Kongresi i Dibrës, njësimi i alfabetit shqip në Kongresin e Manastirit, me pjesëmarrjen dhe të Sheh Sulës, hapja e shkollës Normale të Elbasanit, në të cilën studioi Riza Shehu, u bënë faktorë shtytës të reja ndërgjegjësuese të rihapjes së shkollës cilësore shqipe të Zerqanit. Këtë e dëshmon telegrami nga i deleguari i Austro-Hungarisë në Durrës ku shkruhet: “Më lejoni t’i njoftoj shkelqësisë tuaj… se fuat Beumë njofton se kishte arritur të hapte shkollën private shqipe në Tiranë dhe në Zerqan Dibër… Drejtim i shkollës së Zerqanit është në duart e Sheh Sulës” 17). Pra, Sheh Sula prapë e riçeli shkollën shqipe më 10 maj 1910 ku dha mësim dhe shehu. Mësuesi emëroi tregtarin Gjergj Baja dhe Osman Shehu me 20 nxënës, si: Ismail Kurti, Handar Danga, Hajdar Sula, Riza Hanku, Ali Gurra, Ramë Ceka, Tashe Lala, Isa Sula, Tafa Ceka. Gazeta “Liri e Shqipërisë” nënvizon: “Mësuesin turk e kthyen mbrapsht në Zerqan, se duan të mësojnë shqip e jo turqisht…” 18). Në udhën e shkronjave magjike të abc-së erdhën mërgimtarë fisnike në vendlindje me mesazhe jete. Këta i kanë zgjuar Isuf Xhaferri, FadilShehu e Destan Rama.

Mustafa Sula erdhi i shkolluar më 1912 nga Stambolli. Kurbetçiu nxori nga hejbet 10 abetare.
– Ç’na duhen këto, or burrë? – e pyeti me qejftë prishur gruaja.
– Kam pru drita, grue. Due me ndriçue mentë e miletit…!
– Po ti, mor i shuet, nebare t’i binje shtëpisë nji sixhade Stambolli, si gjithë hallku?!
Ky burrë i mençur solli pasurinë më të madhe e të vlefshme të botës së vet. Sheh Sula e mori mësues të shkollës në shtëpinë e Hysen Likdishes, deri sa serbët shovinistë e detyruan të emigrohet.

Herët u kthye në Peladhi dhe emigrant Sadik Kamberi që solli në katund një peshqesh: Një bukë (franxhollë Stambolli), brenda së cilës Abetare shqipe! Bukë dh abetare të ngjitura njësh. Dy simbole jete. Ata flasin. Shumë flasin. Pa zë. Si buka dhe abetarja. Dy fjalë si metafora shpirtërore hyne në çdo familje të Grykës së Madhe. Mustafai e Sadiku si mikrolegjenda me abetaret e abc-së dhanë dashuri e morën dashuri. Nuk do t’i mbulojë harresa dhe burrat trima, të etur për dije si Hasan Okshtuni që çeli mejtepin shqip në Strikçan dhe Ibrahim e Ramadan Alliun që sollën abetaret nga Bukureshti, Abaz Lalën mësues, që përdori këto abetare; Asllan Hysën e Sopotit dhe Hoxhë Moglicën që hapi shkollën shqipe në shtëpinë e Llanit, apo Veli Hidrin e Valikardhës që solli nga kurbeti abetare dhe shtëpinë e tij e bëri shkollë, si Hamit Dani i Godvisë, me Mustafa Dervishin mësues. Abetaret u bënë armë kundër errësirës së shekujve.

Gryka e Madhe jetoi në vite gjaku. Sergijat serbe thernin njerëz e mbyllnin shkolla. Edhe në këtë klimë krimesh, në maj 1916 u rihap shkolla në shtëpinë e Zenel Cekes, me mësues Riza Shehun, i pari që mbaroi Normalen e Elbasanit. Prapë në vitin 1921 u rihap porta e diturisë në ndërtesë të re, me mësues Ramiz Alliun. Numri i nxënësve u rrit. Erdhën dhe të tjerë mësues si: Imer Leksi, Beatriçe Cesula, Thanas Bocova, Jonuz Shehu, Fetah Ajdini, Shaban Arra, Besim Kadiu. Këta mësuan: Riza Novakun, Selim Alliun, Mexhit Hankun, Izet Sinanin, Bajazit Pervizin, Kasem Jangullin, Mahmut Pervizin, Sabri Fikun, Sabri Hankun, Myslim, Gani e Qamil Shehun, Imer Lamin. Në vitet 30-të u shkolluan dhe disa vajza: Ferite Gurra, Lejfe Ceka, Hide Hanku, Lime Myrtezai, me mësuese Beatriçe Cesula, e Thomaica Grabocka, me nxënës nga zona: Ramiz Okshtuni, Sefedin Hoxha, Qamil Balla, Sami Kamberi, Seit Rama, Mete Kanberi, Hysen e Halil Fiku, Isuf Fiku, Abaz Jangulli, Ismail Jangulli, Ferit Myrtezai, Bajram Brata, Qamil Disha, Rakip Novaku, Arif Cesula, Gafur Dervishi, Rakip Hoxha, Hysen Shehu, Vehbi Disha, Beqir Lala, Hasan Pervizi, Skënder Shehu, Fiqirie Shehu, etj. Me këta shkollarë punuan mësuesit: Surja Spahiu, Shaban Ostreni, Munir Shehu, Bexhet Hoxholli, Elena Todri, Artemi Popa, Herieta Babatasi, Shaqir Duka, Kritavgji Dullani, Selim Alliu, Kov Bibaja, Qamil Skuqi.

shkolla e pare shqipe -1
Në vitin 1938 mbaruan me lavdërime të mësuesve: Jashar Kola, Ramiz Hyseni, Asllan Keta, Rrahman Hanku, Isuf Sula, Gafur Dervishi, Ferit Myrtezai, Skënder, Hasan, Dilaver e Mustafa Shehu, Nadire, Ferit Pervizi, Bajram Kurti, Destan Meta, Vehbi Hidri etj. Në vitet 40 Ramiz Alliu mësoi nxënësit që morën emër të mirë: Ramadan Hoxha, Ramis Gjoka, Ahmet Alliu e Sanie Smeli. Nga fundi i viteve 30-të mësuesit Munir Shehu, Kov Bihaja e Imer Berisha vunë në funksion të mësimit dhe edukimit, organizimin e aktiviteteve artistike e sportive sa jepnin shfaqje me këngë, valle, recitime në kafen e Miftar Hajdaragës dhe lojëra popullore, ushtrime gjimnastikore. Mbahen mend Sami Brata, Aqif Murrja ose Merdan Kola i hypur mbi piramidën kullë me nxënës recitoi: “E shihni or burra, sa i madh unë jam? E hyp mbi shokë, ç’bukuri kam! Kur unë ecë, dridhet toka, ushton mali e lëviz bota”. Në vitet e para të pushtimit fashist, mësuesin Subi Dedej këshillonte nxënësit me zë pak të mos mësonin hymnin fashist dhe të mos visheshin balila. Për shkak të luftës antifashiste shkolla u mbyll. Ajo u rihap në janar të vitit 1945, kur ndihej akoma Grykës së Madhe erë baruti. E para reformë arsimore qe shkolla laike. Mësues u emërua Hysen Shehu.
1946. 1 tetor! Zerqani! Një datë historike. Klimë me ndjesi kënaqësie u derdh vatrave për çeljen e shkollës unike në vazhdën e realizimit të ëndrrave për dije të mëtejshme e kulture arsimore. Drejtori e mësuesi i parë Syri Bilali me dashuri e pasion mësoi 35 nxënës si: Merdan Kola, Shefqet Tançi, Arif Ceka, Pëllumb Shehu, Mustafa Hanku, Bardhul Shehu, Izet Kola etj. Më vonë mësuesit: Bahri Rusi, Erefili Tavanxhi, Ruzhdi Kraja, Muharem Tançi, Ali Puca. Pastaj: drejtor Idriz Biba. Ato vite mbaruan dhe nxënës që premtonin emër të mirë për nderimin e shkollës si: Ali Sula, Mehdi Cani, Adem Hanku, Sami Sula, Dilaver Sinani, Habibe Dervishi, Lahim Puca, Fadil Shehu, Agim Hanku. Më vonë: Isuf Xhaferi, Shefqet Okshtuni, Veli Zogu, Hamza Gurra, Agim Feti, Xhafer Alla.
Shkolla e Mesme e Përgjithshme u hap më 1981. Ajo fitoi autoritetin shkencor, aftësitë pedagogjike me punë të palodhur, me pasion, dashuri për shkollën, cilësi që janë plazmuar tek shumë nxënës edhe me vlera të kohës duke dalë nga korniza e vjetër. Kuadrot mësimorë janë përshtatur me sistemin pluralist, me kërkesat shkencore, larg politizimeve partiake duke aplikuar metodat modernë të kohës, që stimulojnë nxënësit për ndërgjegjësimin e aftësimin me punë të pavarur shkencore. Mësuesi i sotëm i ka fshirë nga ora e mësimit ngarkesat me slogane të detyruara politike që, me një servilizëm arsimor, mësuesi vriste mendjen jo vetëm në lëndët shoqërore të fuste artificialisht partinë e diktatorin, pa të cilët nuk kishte “jetë”, por edhe në tekstin e problemeve matematikore. Kjo politike arsimore kufizonte aftësinë e talentet me hijen e biografisë duke vënë në lojë luftën e klasave. Këto kanë mbetur si ëndërr e trishtuar. Sido Zerqani do të mbetet në historinë kombëtare të arsimit si vlerë e traditës së shkollës, e mbjellë si pemë e pa vyshkur e me fruta që më 1893.
“Sot çuditem me Drejtorinë Arsimore të Rrethit të Bulqizës që e le në heshtje sesionin shkencor të Zerqanit që provoi me 6 dokumente arkivore se shkolla e Zerqanit ishte hapur më 1893 dhe jo më 1910, e “provuar” kjo vetëm me një telegram… Kujt t’i besojmë, telegramit të postës,apo 6 dokumentave arkivore?
Nga kjo shkollë kanë dalë personalitete me vlera shoqërore që me peshën e dijeve dhe virtyteve kanë lënë gjurmë të pashlyera. Më pëlqen që në 100 vjetorin e pavarësisë t’u përmend emrat në shenjë nderimi dhe dashurie: Sheh Sula, Hasan Kurti, Mustafa Sula, Sadik Kamberi,Agim Hanku, Mustafa Hanku, Riza Shehu, Arif Shehu, Sheh Hajredini, Beatriçe Cesula, Bajazit Pervizi, Mahmut Pervizi, Riza Novaku, Rrahman Hanku, Isuf Sula, Qamil Disha, Farije Shehu, Mehdi Cani, Zejnel Sula, Lutfi Hanku, Veli Zogu, Myslim Shehu, Qamil Shehu, Durim Balla, Ali Puca,Mustafa Hanku, Mahmut Hafizi, Gafur Muka,Agim Hanku, Adem Hanku, Kize Kadiu, Haki Kola, Enver Hysa, Ahmet Kamberi, Bujar Pata, Mustafa Dervishi, Isuf Fiku, Gafur Dervishi, Ismail Jangulli, Defrim Fiku, Ahmet Jangulli, Behar Mera, Qemal Disha, Rakip Hoxha, Mustafa Likalla, Reshat Kola, Shahin Hoxha, Zenel Zeneli.
Gjithë këto yje diturie mblidhen sot në 100 vjetorin e pavarësisë në korin e hymnit epik të dijes që Sheh Sula, me magjinë e shpirtit atdhetar dirixhoi aq mirë e bukur refrenin e dritës së shkollës sa, bashkë me pasardhësit fisnikë u mësuan brezave abc-në e dijeve dhe përhapën aromën e fjalës poetike shqipe për kombin, Dibrën dhe Grykën e Madhe.
Lutfi HANKU
Mësues, shkrimtar
Referencat
1) Fadil Shehu – Shënime historike, Shkolla Shqipe në Zerqan, f. 14, viti 2005.
2) “Zani i Naltë” – 1937, nr. 211, f. 34 (e cituar).
2/1) “Djelmënia dibrane”.
3) Dr. Ali Vishka – Dibra dhe etnokultura e saj. Tetovë 1995, f. 86, Hahn. V., e, f. 144.
4) Dr. Ali Vishka – Po aty, f. 86.
5) Haki Sharofi – “Drita”, f. 291, MHDI, f. 4.
6) Sorit Tema, Lulzim Bilbili, Petrit Najdeni, f. 22.
7) Sami Frashëri – Enciklopedia, V. 1990, f. 904.
8) Dibra dhe etnokultura e saj, vëll. 2, f. 90.
9) Dr. Bajram Xhafa i cituar në temën e diplomës së Naim Xhaferrit dhe Moisi Murra – “Mersim Dema”, f. 29. Flaka e Vllaznimit, v. 1993.
10) Regjistruar nga Hajredin Shehu në vitin 1938.
11) Arkivi i Shtetit, Dosja nr. 429.
12) Moisi Murra – Flaka e Vllaznimit, 16.04.1993.
13) Revista “Zani i Naltë”, Nëntor 1937, f. 347.
14) Kristo Frashëri – “Besëlidhja e Dibrës”, f. 20.
15) Kristo Frashëri – Po aty.
16) “Zëri i Popullit”, nëntor 1942, nr. 5, Shp 21/513 AQSH.
17) Raport nga Durrësi më 11.05.1910, Nr. 16/ adm.deparamenti 6, nr. 295086 (Isuf Xhaferri – Ushtima e Maleve, 10 maj 1990, Historiku i Shkollës së Zerqanit.
18) Gazeta “Liri e Shqipërisë”, 10 mars 1911
Filed in: Bulqiza, Opinion

No comments yet.

Leave a Reply