6:59 pm - Thursday February 22, 2018

Tirana triumfon në derbin ndaj Partizanit

Tirana fiton minimalisht derbin e 137-të me Partizanin dhe kërcen “samba”. Eshtë pikërisht një brazilian, Gilberto, ai që ka vendosur fatin e një ndeshjeje të luftuar fort, që ka pasur për “kryefjalë” bardheblutë, ndërsa të kuqtë kanë qëndruar tërë kohës në mbrojtje. Mjafton të evidentojmë vetëm dy goditje në portën e Ilion Likës nga Partizani, për të kuptuar qasjen krejtësisht difensive të skuadrës së Likës.

E palidhur mes reparteve, skuadra e kuqe ka vuajtur tërë kohës presionin e 24 herë kampionëve t vendit, që kanë nxjerrë nga vetja e tyre gjithcka. Tërë ai volum loje, ato aksione të shumta drejt portës së Alban Hoxhës janë konkretizuar në minutën e 76-të falë një veprimi spektakolar të brazilianit Gilberto. Me kurriz nga porta e Partizanit, sulmuesi i bardhebluve bën një roveshiatë të bukur, duke mposhtur Alban Hoxhën, që një minutë më parë kishte evituar një gol të sigurtë me grushtimin e tij. Tri pikë shprese për Tiranën, që bind në ndeshjen më të rëndësishme, duke kënaqur pa masë tifozërinë e zjarrtë bardheblu, por edhe jep sinjale kthese drejt largimit nga zona e ftohtë e mbijetesës.

Zhgënjen krejtësisht Partizani, që pavarësisht përforcimeve të dimrit, nuk ka ndryshuar thuajse asgjë nga pjesa e parë e kampionatit. Sidomos në sulm dhe mesfushë, skuadra e Hasan Likës ka qenë tërësisht në hije, duke iu falur më së shumti mbrojtjes. Ky repart bëri gjithcka mirë në këtë ndeshje, me përjashtim të rastit të golit të Gilbetrtos, i cili u la i lirë të bënte atë roveshiatë vdekjeprurëse. Një gol i artë për tri pikë me mjaft vlera. Në këtë përmblidhet në vija të tradha ky derbi, që prodhoi emocione të pafundme në tribunat e stadiumit, të mbushura plot e përplot, ndërsa në fushë mungoi spektakli. Triumfoi grinta dhe dëshira e madhe e Tiranës, që në vijimësi duket se do të jetë një pengesë e pakalueshme për të gjithë kundërshtarët.

Filed in: Sport

No comments yet.

Leave a Reply